Mali i Tomorrit

Berat

Përshkrimi i biznesit:

Tomorri është një mal në lindje të qytetit të Beratit në Shqipëri. Tomorri është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.

Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorrit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.

Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve, substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stagnacion njëherësh është karakteristik edhe për kultin e Tomorit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij.

Share

Informacion shtesë:

Kategoria:
Paketa: